KOSOVË, HAPET MBI LUMIN IBËR URA E RE PËR QARKULLIMIN E AUTOMJETEVE

Është hapur në qytetin e Mitrovicës ura e re mbi Lumin Ibër e cila është e dedikuar për automjete dhe këmbësorë, transmeton Anadolu.

Zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durimishi, ka publikuar pamjet nga vendi i ngjarjes, ndërsa ka uruar të gjithë qytetarët për këtë urë.

“Urime Mitrovicë! Urime për të gjithë qytetarët e Kosovës! E gëzofshim urën e re”, shkroi Durmishi në llogarinë e tij në rrjetet sociale, derisa publikoi një video e realizuar nga një automjet që përshkoi urën e re.

Gjithashtu, qytetarët për këtë zhvillim i uroi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që publikoi një fotografi derisa automjetet kalonin nëpërmjet urës.

Sipas raportimit të mediave lokale, në urën e hapur sot për automjete, por në të cilën mund të kalojnë edhe këmbësorët, kanë mbetur pa përfunduar vetëm edhe disa detaje të vogla, sikurse vendosja e kubëzave në trotuaret e urës.

Përfundimi i ndërtimit të urave, të cilat u nisën me qëllim që të lidhin pjesën veriore me atë jugore të qytetit të Mitrovicës, ishte planifikuar të bëhej në shtator. Për ndërtimin e tyre, Qeveria në detyrë ndau rreth tre milionë euro.

Dy urat, njëra për këmbësorë dhe njëra për automjete, janë të vendosura në afërsi prej disa qindra metrash nga ura kryesore mbi Ibër, aty ku qëndron KFOR-i Italian.

Në vendosjen e gurëthemelit të këtyre urave më 1 korrik 2025 mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili tha se mbi Lumin Ibër gjithsej janë 77 ura, në tre shtete: Malin e Zi, Republikën e Kosovës dhe në Serbi, prej tyre 35 janë në Kosovë, ndërsa urat e reja do ta bëjnë 37 numrin e urave mbi Lumin Ibër në territorin e Kosovës.

SHARE