Franca mund të shkojë drejt zgjedhjeve të tjera të parakohshme parlamentare, tha një ministër i qeverisë të martën, pasi partitë e opozitës deklaruan se do të votonin për të rrëzuar kryeministrin François Bayrou (Barjro), ndërsa tregjet franceze u lëkundën.
Bayrou tronditi skenën politike — ende në gjumin veror — të hënën, me lëvizjen e tij të papritur për të kërkuar një votëbesim më 8 shtator, lidhur me planin e tij për uljen e borxhit.
Partitë kryesore të opozitës u nxituan të deklarojnë se do të votonin kundër tij dhe qeverisë së tij të pakicës.
“Na duhet një kryeministër tjetër dhe, mbi të gjitha, një politikë tjetër,” shkroi ligjvënësi socialist Boris Vallaud në rrjetin X (ish-Twitter).
Votimi për besimin do të mbahet vetëm dy ditë para protestave të thirrura nga grupe të ndryshme në rrjetet sociale dhe të mbështetura nga partitë e majta dhe disa sindikata.
Këto protesta po krahasohen me lëvizjen e Jelekëve të Verdhe që shpërtheu në vitin 2018, si reagim kundër rritjes së çmimeve të karburantit dhe kostos së jetesës, e më pas u zgjerua në një revoltë më të gjerë kundër presidentit Emmanuel Macron dhe reformave të tij ekonomike.
Nëse qeveria bie, Presidenti Macron ka disa opsione: ai mund të emërojë menjëherë një kryeministër të ri, t’i kërkojë Bayrou-së të qëndrojë si kryetar i një qeverie të përkohshme, ose të thërrasë zgjedhje të reja të parakohshme.
Ministri i Drejtësisë, Gérald Darmanin, tha për France 2 TV se, ndërsa qeveria po përpiqet ende të arrijë një kompromis, ai “nuk mund ta përjashtojë” mundësinë e një shpërbërjeje tjetër të parlamentit.
Presidenti Macron, i cili është i vetmi që mund të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të reja, nuk ka bërë ende asnjë koment publik.
Ai humbi kryeministrin e tij të mëparshëm, Michel Barnier, në një votë mosbesimi mbi buxhetin në fund të vitit 2024, vetëm tre muaj pasi kishte marrë detyrën, pas zgjedhjeve të parakohshme në korrik të atij viti.