DIMAL BASHA ZGJIDHET KRYETAR I RI I KUVENDIT TË KOSOVËS

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është emëruar kryetar i Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Zgjedhja e Bashës në pozitën e kryeparlamentarit erdhi pasi propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje mori mbështetjen e partisë së dytë më të madhe në Kuvendin e Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Kryeparlamentari i ri Dimal Basha mori 73 vota pro, ndërsa kundër ishin 30 deputetë dhe tre abstenime.

Pas emërimit të tij si kryetar, Basha mbajti një fjalim në foltoren e Kuvendit, ku përmendi rrugën me sakrifica të pavarësisë dhe ndërtimit të institucioneve të Kosovës.

“Ky institucion është zemra e demokracisë sonë, vendi ku përfaqësohen zërat e të gjithë qytetarëve. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica dhe mbi besimin e përbashkët se liria dhe shteti ynë janë më të mëdha se çdo interes i përveçëm. Republika jonë është e ndërtuar mbi sakrifica të panumërta, mbi gjakun, mundin dhe qëndresën e atyre që besuan se e ardhmja e kombit ishte më e rëndësishme se vet jeta e tyre”, tha Basha.

SHARE