Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha të hënën se në vitin 2027 Shqipëria do të mirëpresë samitin e NATO-s. Këto komente Rama i bëri gjatë konferencës së ambasadorëve, që po mbahet në Tiranë. Rama tha para ambasadorëve se diplomacia shqiptare tashmë ka hyrë në një dinamikë të re.
“Vitin e ardhshëm do të jemi vendi që do të mirëpresë liderët e 44 shteteve evropiane – nga Britania e Madhe në Ukrainë apo nga Suedia, Norvegjia deri në Turqi – në samitin e Komunitetit Politik Evropian. Më 2027 do të kemi mundësinë të jemi mikpritës të samitit të NATO-s. Gjëra që as nuk mund të imagjinoheshin vite më parë – që Shqipëria të bëhej një pikë referimi e t’i besoheshin të tilla role”, deklaroi Rama.
Kryeministri Rama tha se objektivi i Qeverisë që drejton është që më 2030, Shqipëria duhet të jetë gati për t’u ulur në tryezën e BE-së. Ai theksoi se “për këtë roli i ambasadorëve është tepër i rëndësishëm dhe duhet të ngrihet në një nivel të ri”.
Sa i përket marrëdhënieve të Shqipërisë me vendet e rajonit, Rama tha se është bërë i qartë vizioni i Qeverisë që drejton për të parë drejt së ardhmes dhe për të mos u kthyer te problemet e së shkuarës.
“Leximi i së ardhmes me sytë e së shkuarës nuk na takon. Kjo është qasja e pika kyç, mbi të cilat ngremë marrëdhëniet e ndërveprimet me rajonin. Duhet të bëjmë më shumë me Italinë, Turqinë e Greqinë. Së shpejti duhet t’i çelim dyert e Ambasadës në Bosnje Hercegovinë”, tha kryeministri Rama.
Në lidhje me marrëdhëniet me Kosovën, Rama tha se është detyrë e Shqipërisë për ta mbështetur “formësimin përfundimtar të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”.
Kreu i Qeverisë shqiptare kërkoi nga ambasadorët t’i kushtojnë më shumë vëmendje diplomacisë ekonomike. Për këtë ai kërkoi që marrëdhëniet tregtare dhe të biznesit të mos përqendrohen vetëm te vendet e Bashkimit Evropian, por të zgjerohen edhe me Emiratet e Bashkuara, Arabinë Saudite, Azerbajxhanin, Kuvajtin, etj.
Në lidhje me dy shtetet e tjera, Indonezinë dhe Filipinet, kryeministri Rama tha se të gjitha vendet e BE-së janë në kërkim të fuqisë punëtore, ndaj edhe Shqipëria do të bëjë të njëjtën gjë.