Zëvendëskryeministrja dhe ministrja për Punët e Jashtme dhe Çështjet Evropiane të Sllovenisë, Tanja Fajon, po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri, ndërkohe është takuar me kryediplomatin shqiptar Igli Hasani.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Hasani, ka pritur në selinë ministrisë homologen Fajon, ndërsa pas takimit dypalësh mbajtën një deklaratë të përbashkët duke u fokusuar në marrëdhëniet mes dy vendeve, integrimin evropian të Shqipërisë dhe çështje të tjera.
Hasani theksoi se marrëdhëniet dypalëshe janë në një nivel shumë të mirë dhe shtoi se Sllovenia ka qenë një avokate e fuqishme për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Sllovenia ka qenë dhe mbetet një model për ne, jo vetëm si vendi në rajon që u integrua më shpejt nga të tjerët në Bashkimin Evropian, por edhe për zhvillimet demokratike dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës. Gjatë takimit diskutuam për një sërë çështjesh të rëndësishme, dy dhe shumëpalëshe, por një vend të veçantë zuri rrugëtimi ynë drejt Evropës së bashkuar. Përgjatë gjithë këtij harku kohor, Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në përmbushjen e reformave të domosdoshme”, tha Hasani.
Ministri Hasani u shpreh se Qeveria shqiptare ka punuar fort për zbatimin e reformave të kërkuara për anëtarësimin në BE.
– Fajon: Sllovenia dhe Shqipëria janë vërtet aleate të ngushta me njëra-tjetrën
Fajon deklaroi se me homologun e saj ka patur një takim shumë të frytshëm, sipas saj në lidhje me të gjitha aspektet pozitive në bashkëpunimet mes dy vendeve.
“Sllovenia dhe Shqipëria kanë pasur gjatë gjithë kohës marrëdhënie shumë të mira dhe ne kemi një interes akoma më të fortë për të vazhduar dhe thelluar më tej bashkëpunimin tonë në fusha të ndryshme”, tha ajo.
Fajon theksoi se Sllovenia dhe Shqipëria janë vërtet aleate të ngushta me njëra-tjetrën dhe shtoi se do të kenë bashkëpunime të mëtejshme.
“Sllovenia është një mbështetëse e gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe dëshiron ta shikojë Shqipërinë si një anëtare të Bashkimit Evropian. Sllovenia do të jetë një mbështetëse e sigurt dhe e bindur për integrimin e Shqipërisë në BE”, tha Fajon.
Fajon ishte e pranishme edhe në Konferencën e Ambasadorëve “Tirana Diplo 2024”, që po organizohet në Tiranë nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë.