ZËVENDËSKRYEMINISTRI GJELOSHAJ DHE MINISTRI DUKAJ KANË VIZITUAR KOMUNËN E GUCISË

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj dhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, kanë zhvilluar sot një vizitë pune në Komunën e Gucisë.

Në një bisedë me kryetarin e Komunës, Sanell Baliq, Gjeloshaj theksoi rëndësinë që ka kjo komunë për Malin e Zi, si dhe potencialin e madh për zhvillimin e turizmit.

Gjeloshaj tha se përmirësimi i infrastrukturës së transportit është një stimul i rëndësishëm për valorizimin e potencialit turistik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së të gjithë banorëve të kësaj zone.

Ministri Dukaj u shpreh i kënaqur për vizitën në komunën e Gucisë dhe tha se Ministria e Administratës Publike do të ofrojë mbështetje të plotë, për të ofruar shërbime efikase për qytetarët për të krijuar një administratë publike efikase dhe ekonomike.

“Ministria e Administratës Publike është duke punuar në mënyrë aktive në reformën e përgjithshme të sistemit të vetëqeverisjes lokale. Jemi në përgatitje të Ligjit të ri për Vetëqeverisjen Lokale, i cili ka për qëllim decentralizimin dhe garanton plotësisht funksionimin më efikas të sistemit të vetëqeverisjes lokale. Përveç decentralizimit, fokusi është edhe në përmirësimin e bashkëpunimit ndërkomunal dhe procesin e integrimeve evropiane, i cili është veçanërisht i rëndësishëm për komunën e Gucisë”, tha Dukaj.

Kryetari Baliq i njohu bashkëbiseduesit me projektet dhe planet zhvillimore aktuale të komunës, siç janë rruga për në Vuthaj dhe luginë të Grebajes, si dhe rruga Guci – Plavë përmes Krushevës.

Ai tha se kjo vizitë është e rëndësishme për komunën e Gucisë për shkak të shkëmbimit të përvojave dhe rekomandimeve që duhet të zbatohen në nivel lokal, dhe shprehu besimin se në të ardhmen Ministria e Administratës Publike do të jetë një partner i besueshëm dhe i përgjegjshëm në kushtet e përmirësimit të mëtejshëm të punës së vetëqeverisjes lokale dhe shërbimit efikas ndaj qytetarëve.

Gjatë takimit u diskutua për tema të shumta që kanë të bëjnë me funksionimin e komunës, projektet aktuale, planet e ardhshme me fokus në ofrimin më efikas të shërbimeve për qytetarët dhe bashkëpunimin e mundshëm, dhe u theksua se bashkëpunimi më intensiv ndërkomunal mund të kontribuojë në ngritjen e kapaciteteve të personelit, por edhe në realizimin e projekteve të rëndësishme në fushën e bujqësisë, turizmit dhe mjedisit.

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj dhe ministri i Administratës Publike, Marash Dukaj, morën pjesë në seancën e sotme ceremoniale të Kuvendit të Komunës me rastin e Ditës së Komunës së Plavës.

SHARE