DIGJEN MAKINAT E KOMUNËS SË ZVEÇANIT

Dy makina, në pronësi të Komunës së Zveçanit, janë dëmtuar nga zjarri, konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani. Sipas Elshanit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:40 të mëngjesit të së premtes.

Makinat, që u dogjën, ishin të parkuara para ndërtesës të Komunës së Zveçanit.

“Dyshohet se kemi të bëjmë me zjarrvënie, ndërsa të lënduar nuk ka”, tha Elshani. Ai po ashtu shtoi se policia është duke punuar për të zbardhur këtë rast.

Zveçani është një nga katër komunat në veri të Kosovë, që banohen nga një shumicë serbe.

Në këtë pjesë të territorit të Kosovës edhe në të kaluarën ka pasur djegie të makinave dhe dëmtim të pronës.

Në qershor të këtij viti u raportua për djegien e dy makinave me targa serbe në Mitrovicë të Veriut.

Ndërkaq, në fillim të prillit, një pjesëtari të policisë kufitare të Kosovës iu dogj makina në Mitrovicën e Veriut.

Në mars u regjistruan dy djegie të pronave të serbëve në Kosovë. Një lokal, në pronësi të nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniç, u dogj më 8 mars.

Ajo, dhe autoritetet e sigurisë, thanë se zjarrvënia dyshohet se ishte e qëllimshme.

Ndërkaq, më 24 mars u dogj një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviçit, drejtor i Drejtorisë për Sport, Rini dhe Kulturë në komunën që funksionon sipas sistemit të Kosovës.

Radosavleviç tha se beson që zjarrvënia ishte e qëllimshme dhe se motivi ishte politik.

Raste të djegies së makinave u regjistruan veçanërisht shumë në fund të vitit 2022 dhe gjatë vitit 2023, kur edhe nisi procesi i riregjistrimit të mjeteve me targa të Kosovës.

Për këtë arsye, persona të panjohur dogjën disa makina me targa RKS, Republika e Kosovës.

SHARE