136 MLN EURO GRANT PËR HEKURUDHËN VORË-HANI I HOTIT

Bashkimi Europian do t’i japë Shqipërisë 136 milionë euro grant për financimin e rehabilitimit të hekurudhës Vorë-Hani i Hotit.

Teksa mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe BERZH, shefi Delegacionit të BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato, tha se linja e re do të përmirësojë qasjen në treg dhe do të rrisë ndjeshëm trafikun ndërkombëtar të mallrave e pasagjerëve.

“Lidhja e njerëzve është në thelb të idesë evropiane. Investimi më i madh i BE-së në Shqipëri deri më sot do të rilidhë shqiptarët brenda pjesës tjetër të rajonit dhe Evropës me tren. Linja hekurudhore e rinovuar do të nxisë udhëtimet brenda vendit, turizmin ndërkombëtar, si dhe do të mbështesë zhvillimin e përgjithshëm socio-ekonomik të Shqipërisë.”

Për BERZH, ky investim forcon më tej lidhjen rajonale dhe e sjell Ballkanin Perëndimor më pranë BE- së.

“Ne jemi krenarë që jemi partnerë me Bashkimin Evropian për të përmirësuar rrjetin hekurudhor në Shqipëri. Duke investuar në infrastrukturën e gjelbër, ne po i hapim rrugën rritjes ekonomike dhe një të ardhmeje më të qëndrueshme”.

Investimi do t’u mundësojë hekurudhave shqiptare të elektrizojnë më shumë se 120 km binarë dhe të rinovojnë 12 stacione treni, përfshirë sisteme të reja sinjalizimi, si dhe përmirësime të sigurisë.

Kjo do të mundësojë udhëtime më të sigurta dhe me shpejtësi funksionimi deri në 100 km/h.

SHARE