BE ARRIN MARRËVESHJE PËR TË ZVOGËLUAR PËRDORIMIN E GAZIT

Ministrat e Bashkimit Evropian për Energji kanë arritur pajtueshmëri që shtetet e tyre të zvogëlojnë përdorimin e gazit, në rast se Rusia ndal furnizimet. Pas negociatave të zhvilluara të martën, vendet anëtare të BE-së janë pajtuar se shtetet duhet që vullnetarisht të zvogëlojnë përdorimin e gazit për 15 për qind, nga gushti deri në muajin mars. “Ky nuk ishte mision i pamundur”, ka thënë Republika Çeke, e cila udhëheq presidencën e BE-së në gjashtë muajt e ardhshëm. Megjithatë, në disa draft-plane që ka parë transmetuesi britanik BBC, është sugjeruar se marrëveshja është e zbehtë, për shkak se shtetet mund të kërkojnë përjashtime. “Në përpjekje për të rritur sigurinë e BE-së në furnizimet me energji, vendet anëtare kanë arritur marrëveshje politike që vullnetarisht të zvogëlojnë përdorimin e gazit natyror për 15 për qind këtë dimër”, ka thënë BE-ja. “Qëllimi i zvogëlimit të përdorimit të gazit është që të ketë rezerva për dimër, në mënyrë që të përgatitemi për një ndërprerje të gazit nga Rusia, e cila është duke i përdorur furnizimet me energji si armë”. Marrëveshja për zvogëlim vullnetar të përdorimit të gazit mund të bëhet e detyrueshme në rast të ndonjë emergjence. BE-ja ka thënë se disa shtete, që nuk janë të lidhura me gazsjellës të vendeve tjera, mund të përbëjnë përjashtim nga kërkesa për një zvogëlim të tillë, meqë nuk kanë furnizime alternative. Kjo marrëveshje vjen pasi kompania shtetërore e energjisë në Rusi, Gazprom, ka bërë të ditur për një zvogëlim të sërishëm të furnizimeve me gaz në Gjermani, ashtu që të mundësohen punimet në gazsjellësin Rrjedha Veriore 1.

SHARE