ARRIJNË NË KOSOVË TRE POLICËT QË ISHIN NË PARABURGIM NË SERBI

Kanë arritur në Kosovë nga pika kufitare në Merdare tre zyrtarët policorë të cilët ndodheshin në paraburgim nga autoritetet serbe nga 14 qershori. 

Tre zyrtarët policorë: Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Mustafë Shemi nga pika kufitare Merdare u përcollën me vetura zyrtare të policisë drejt Mitrovicës, tek familjet e tyre.

Gjykata në Kralevë të Serbisë mori vendim për lirimin e tyre pas gati 12 ditësh në mbajtje.

Pas lirimit të tyre, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës tha se “rrëmbimi konsiston në shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut”.

“Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, shkroi Kurti.

Tre zyrtarët policorë u arrestuan derisa ishin me detyrë në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, në brendësi të territorit të Kosovës.

Detyra e tyre ishte për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë.

Arrestimi i tre policëve ka nxitur reagime të shumta në vend, duke kërkuar lirim të menjëhershëm dhe pa kushte.

Lirimin e tyre po ashtu e kanë kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

SHARE