Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, në fjalimin e tij gjatë sesionit përmbyllës të Asamblesë Parlamentare të NATO-s tha se lufta në Bosnje dhe Hercegovinë ende sot shkakton pasoja serioze në rajon, dhe se nga ajo përvojë e tmerrshme duhet të nxirren mësime të qarta.
Ai theksoi se diplomacia nuk duhet të mbetet mjeti i fundit për zgjidhjen e krizave, por të jetë mënyra për arritjen e paqes së qëndrueshme.
Millatoviq theksoi se sot jemi dëshmitarë të krizave të reja dhe të rrezikshme që kërcënojnë të destabilizojnë rendin ndërkombëtar ndaj të cilit të gjithë jemi të përkushtuar. Si shembull më të qartë për këtë, ai përmendi agresionin rus ndaj Ukrainës.
Millatoviq bëri thirrje për vendosjen e paqes së qëndrueshme në Ukrainë, duke theksuar se ky është një qëllim kyç drejt të cilit duhet të aspirojmë.
Duke pasur parasysh arkitekturën globale të sigurisë, ai nënvizoi nevojën për forcimin e unitetit dhe funksionalitetit të aleancës.
“Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në vitin 2017 është një ngjarje që ka ndikuar ndjeshëm dhe pozitivisht në sigurinë rajonale,” tha presidenti i shtetit.
Ai shtoi se Mali i Zi është i përkushtuar ndaj objektivave të aleancës dhe se ushtarët malazezë marrin pjesë në shumë aktivitete dhe misione të NATO-s.
“Është thelbësore të qëndrojmë së bashku dhe të bashkëpunojmë në një dialog të hapur, me synimin për të ndërtuar një të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë ne,” theksoi Millatoviq.
Presidenti po ashtu vuri në dukje se Mali i Zi, përmes shembullit të vet, dëshiron të udhëheqë të tjerët drejt një shoqërie të demokracive progresive.
Ai shprehet se Samiti i ardhshëm i NATO-s në Hagë do të forcojë unitetin dhe koherencën e aleancës.