Foto: Ilustrim
Në fokus të Programit të ri Kombëtar për Mbrojtjen e Konsumatorit për periudhën 2025–2027 dhe Ligjit të ardhshëm për mbrojtjen e konsumatorit janë të drejtat digjitale, lufta kundër ekonomisë gri, parandalimi i cilësisë së dyfishtë të produkteve dhe rritja e transparencës në tregti.
Në Draftin e Programit Kombëtar për Mbrojtjen e Konsumatorit 2025–2027, i publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë dhe aktualisht në fazën e diskutimit publik, parashikohen një sërë risish që synojnë forcimin e reagimit institucional ndaj nevojave të konsumatorit modern.
Dokumenti, i përgatitur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, sjell qasje të reja si blerja e fshehtë, e cila do t’u mundësojë inspektorëve të kontrollojnë në mënyrë të papritur nëse tregtarët respektojnë detyrimet ligjore.
“Mbikëqyrja inspektuese duhet të përfshijë edhe elementë si blerja e fshehtë, me qëllim që të sigurohet një pasqyrë reale mbi mënyrën e funksionimit të tregtarëve dhe zbatimin e rregullave në praktikë,” thuhet në dokument.
Kjo praktikë synon të kontribuojë në një mbikëqyrje më efektive të tregut dhe në zbutjen e praktikave të padrejta, veçanërisht në kontekstin e ekonomisë gri, si dhe të ofrojë një pasqyrë më të saktë të përvojës së konsumatorit përfundimtar.