Parlamenti Evropian festoi sot 20-vjetorin e zgjerimit më të madh të Bashkimit Evropian (BE) dhe liderët aktualë dhe të mëparshëm evropianë theksuan rëndësinë e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së.
Qiproja, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Sllovakia dhe Sllovenia iu bashkuan BE-së më 1 maj 2004. Ky ishte zgjerimi i pestë dhe më i madh në historinë e BE-së.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha në seancën formale të PE se dëshira për të bashkuar Evropën dhe për të kompletuar BE-në është sot më e rëndësishme se kurrë më parë.
„Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk kufizohet vetëm në përkthimin e legjislacionit. Është një proces shumë më i thellë. Evropa mund të ketë ndryshuar secilin prej shteteve të saj anëtare që nga viti 2004. Po ashtu çdonjëri prej këtyre shteteve anëtare e ka transformuar gjithashtu Evropën. Shtetet e Ballkanit Perëndimor mezi presin të njëjtin proces. Pa to Evropa nuk mund të shikojë larg,“ tha Roberta Metsola.
„Ballkani Perëndimor po na afrohet më shumë. Ne morëm një vendim historik për të filluar negociatat me Ukrainën dhe Moldavinë, ndërsa populli i Gjeorgjisë nuk i fsheh ëndrrat e tij evropiane. Ne duhet të presim me padurim zgjerimin e ardhshëm,“ tha von der Leyen.
Pro zgjerimit të shpejtë ishin edhe Pat Cox e Romano Prodi, presidentë të Parlamentit dhe Komisionit Evropian në kohën e zgjerimit të madh me 10 vende të lindjes ish-komuniste.
Prodi tha se tani ka vende të reja që duan të anëtarësohen në BE dhe se atyre duhet t’u jepet një përgjigje pozitive.
Ai shtoi se rregullat që rregullojnë Evropën gjithashtu duhet të thjeshtohen.
Ish-presidenti i PE Cox tha se Unioni duhet të përgatitet institucionalisht dhe financiarisht për pranimin e anëtarëve të rinj.
Sipas tij BE duhet të jetë e hapur për të gjitha shtetet e kontinentit evropian që kanë të njejtat vlera demokratike dhe që duan të jenë pjesë e familjes evropiane.