FRANCA PRO ZGJERIMIT TË BE-së / MACRON FLET PËR REFORMAT QË DUHET TË BËJNË SHTETET KANDIDATE

Presidenti Macron ka garantuar integrimin e shpejtë evropian të shteteve ballkanike në fjalimin e mbajtur në Universitetin e Sorbonës. Macron premtoi mbështetje për reformat e brendshme brenda BE-së dhe në shtetet kandidate.

“Ne kemi filluar të rimendojmë gjeografinë tonë brenda kufijve të kontinentit tonë. Evropa tani e mendon veten si një e tërë dhe në koherencë pas agresionit rus, duke e sjellë Ballkanin Perëndimor, Ukrainën dhe Moldavinë si pjesë e familjes sonë evropiane.

E thashë vitin e kaluar në Bratislavë se na takon ne që të mbështesim tani reformat e nevojshme për t’u përgatitur për këtë rrugë dhe në të njëjtën kohë të reformojmë BE që mund të zgjerohet vetëm nëse reformohet në thellësi dhe i thjeshton procedurat.

Ne kemi forcuar lidhjet tona me të gjitha shtetet edhe me Komunitetin Politik Evropian. Kjo nismë që ne propozuam në muajin maj 2022 bën të mundur që të shkojmë përtej kornizës prej 27 anëtarësh dhe të mendojmë për Evropën nga miqtë tanë britanikë deri në Ballkanin Perëndimor.”

Me 12 Prill gjatë vizitës së kryeministrit Rama në Paris Macron deklaroi se që nga mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare Shqipëria ka vijuar me vendosmëri rrugën e saj evropiane.

Ai ofroi mbështetjen franceze në mënyrë që negociatat me vendin tonë të ecin sa më shpejt të jetë e mundur.

SHARE