PRESIDENTJA OSMANI VIZITË ZYRTARE NË MAQEDONINË E VERIUT

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në fillim të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut është pritur me nderime të larta shtetërore e ushtarake nga Presidenti Stevo Pendarovski.

Të dy presidentët i kanë rikonfirmuar raportet e shkëlqyera në mes të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Presidentja Osmani ka theksuar se raportet me Maqedoninë e Veriut janë të ndërtuara mbi vlera të përbashkëta demokratike dhe të forcuara nga synimi i përbashkët për të ardhmen euroatlantike të vendeve tona.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur në takim nga kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi më të cilin biseduan për raportet mes dy shteteve.

Përmes një njoftimi për media bëhet e ditur Osmani ka falënderuar Maqedoninë e Veriut për votën e saj në favor të Kosovës në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës dhe në këtë kontekst kërkoi mbështetjen e njëjtë edhe në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) dhe në Asamblenë Parlamentare të NATO-s.

Më tej në takim me Xhaferin, Osmani foli për rëndësi e intensifikimit të bashkëpunimit ndërparlamentar, duke përfshirë dinamizimin e takimeve dhe ndërveprimeve të komisioneve parlamentare respektive.

Po ashtu sipas njoftimit, Osmani ka përmendur kontributin e shqiptarëve për shtetformim dhe shtendërtim të Maqedonisë së Veriut dhe ka thënë se ata janë urë e fuqishme lidhëse ndërmjet të dy shteteve.

Ajo tha se ata dëshmojnë më së miri se si respektimi i të drejtave të njeriut rezulton me integrim  të suksesshëm të komuniteteve të ndryshme në një shoqëri.

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski, ka takuar sot Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, thonë nga konferenca për shtyp e Qeverisë së RMV-së.

Në takim, thuhet në deklaratë, u nda një vlerësim i përbashkët se marrëdhëniet dypalëshe janë miqësore dhe konstruktive, me dialog të rregullt dhe të hapur dhe pa çështje të hapura mes dy vendeve.

Bashkëbiseduesit u dakorduan për hapat e mëtejshëm në drejtim të forcimit të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe forcimit të miqësisë mes qytetarëve të dy vendeve.

SHARE