Parlamenti Evropian, në një raport kushtuar ndërhyrjes së huaj në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor, e ka dënuar mundësinë që Serbia i ka dhënë kanalit rus, Russia Today, për të përhapur fushatën e saj në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ky kanal shtetëror i Rusisë është nën sanksionet e Bashkimit Evropian (BE) për shkak se akuzohet se shërben për përhapjen e propagandës së Rusisë, ndërsa në Serbi ka hapur një zyrë dhe një kanal në gjuhën serbe.
Raporti përmend përdorimin e investimeve strategjike dhe fushatat e dezinformimit për të dëmtuar edhe reputacionin e BE-së dhe për të penguar proceset demokratike.
Si shembull përmendet edhe fushata që ka për qëllim zvogëlimin e orientimit euroatlantik të qytetarëve të vendeve të rajonit.
Rusia, sipas këtij raporti, përdor ndikimin e saj në Serbi duke tentuar që të destabilizojë vendet fqinje, për shembull: “Në Bosnje e Hercegovinë përmes Republika Sërpska; në Mal të Zi përmes ndjenjave pro-serbe si dhe Kishës Ortodokse Serbe; në Kosovë duke përdorur mospajtimet ekzistuese në veri”.
Për raportin votuan 27 përfaqësues në Komisionin për Ndërhyrje të Huaja, 1 kundër dhe 1 abstenoi.
Në qershor, ky raport do të votohet në seancën plenare, kur do të marrë një version të Rezolutës së Parlamentit Evropian.