VARHELI: SHTYRJA E INTEGRIMIT TË BALLKANIT NUK ËSHTË NË INTERES TË BE-së

Komisionari i Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, ka bërë thirrje për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që të hapet rruga për nisjen e bisedimeve të Shkupit dhe Tiranës për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Në Forumin për Marrëdhëniet ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, që u mbajt të martën në Sofje, komisionari Varhelyi tha se “jam jashtëzakonisht i zhgënjyer që ende po flasim për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mendova se e zgjidhëm këtë çështje dy vjet më parë, por kjo tani është kthyer në tryezë”. Varhelyi theksoi se BE-ja nuk ka as kohë dhe as interes që të shtyjë konferencat e para ndërqeveritare me Shkupin dhe Sofjen. “Të gjitha shtetet anëtare duhet të kuptojnë fuqinë transformuese të procesit të anëtarësimit. Dhe ky është mesazhi që po sjell përsëri në Sofje. Kam qenë këtu para tre javësh dhe do të vij sa të jetë e nevojshme për ta zgjidhur këtë çështje në qershor të këtij viti, sepse lufta në Ukrainë na ka treguar se nuk kemi kohë për të humbur dhe as interes që ky proces nuk vonohet”, tha ai. Sipas tij, “lufta në Ukrainë dhe mësimet e së kaluarës kanë treguar se procesi i integrimit të plotë të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të përshpejtohet”. Por, pavarësisht kërkesës së komisionarti i BE-së për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë së Mirë, Oliver Varhelyi, për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Shkupit dhe Sofjes, ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska, përsëriti se vetoja bullgare për Shkupin nuk do të hiqet pa u përmbushur kërkesa për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

SHARE