Shtylla kyçe të Qeverisë së re të Malit të Zi do të jenë sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik, tha mandatari për kryeministër, Dritan Abazoviq, në ekspozenë e dorëzuar në Kuvendin e Malit të Zi. Atë pritet ta përbëjnë Lëvizja Qytetare URA e Abazoviqit, Partia Popullore Socialiste, Partia Socialdemokrate dhe partitë shqiptare dhe boshnjake. Qeveria e re pritet të ketë 46 deputetë, nga 81 sa ka gjithsej Kuvendi i Malit të Zi. Qeveria pritet të ketë mbështetje parlamentare edhe nga Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) e presidentit të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq. Në ekspozenë e Abazoviqit thuhet se në tremujorin e parë të punës së Qeverisë së re, është planifikuar një projektligj për regjistrimin e popullsisë, në përputhje me standardet evropiane. Regjistrimi i popullsisë shkakton tensione në Mal të Zi, sepse për një pjesë të opinionit politik ai nuk është çështje statistikore, por çështje e regjistrimit kombëtar dhe fetar. Në fushën e prioriteteve të politikës së jashtme, Abazoviq përmend formimin e Ministrisë së Çështjeve Evropiane, me qëllim të, siç thuhet, koordinimit dhe komunikimit më të mirë me strukturën negociatore të BE-së. “Unë besoj se Mali i Zi mund të kërkojë një pranim të përshpejtuar [në BE] dhe se me vendime urgjente, por të mençura, mund të bëhet anëtar i plotë së shpejti”, tha Abazoviq. Në mesin e prioriteteve të Qeverisë së tij përmendet edhe marrëveshja për bartësit e funksioneve gjyqësore, pastaj Ligji për origjinën e pronës, reforma zgjedhore, rishikimi i gjendjes aktuale në arsim dhe kulturë, e të tjera.
Pjesë e programit janë edhe disa nga propozimet e partive pakicë, deklaroi lideri i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj. Disa nga prioritetet e rëndësishme që Gjeloshaj veçoi janë:
- Përmirësimi i legjislacionit në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, ku prioritet do të ketë Ligji për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.
- Fuqizimi i vetëqeverisjes lokale përmes ndryshimeve në Ligjin për pronën shtetërore – bartja e të drejtave pronësore nga shteti te komunat dhe miratimi i akteve nënligjore me qëllim eliminimin e pasojave të dëmshme që dalin nga zbatimi i ligjit të vitit 2009.
- Reforma zgjedhore – miratimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR për përmirësimin e legjislacionit zgjedhor, me mundësinë e bashkimit të të gjitha zgjedhjeve në një ditë dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor me futjen e listave të hapura dhe garantimin e përfaqësimit të pakicave nëpërmjet përcaktimit të numrit të mandateve.
- Mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe integrimi i tyre në institucione nëpërmjet zbatimit të parimit kushtetues të përfaqësimit proporcional, me zbatimin e plotë të legjislacionit.