KUVENDI MIRATON NDRYSHIMET NË LIGJET PËR BIZNESET DHE KONKURRENCËN

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Kuvendi i Malit të Zi miratoi ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për shoqëritë tregtare dhe regjistrimin e subjekteve, me 46 vota pro dhe asnjë kundër apo abstenim.

Ligjet do të hyjnë në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare, me procedurë të përshpejtuar.

Deputeti Vasilije Çarapiq sqaroi se ndryshimet synojnë zgjidhjen e problemeve të krijuara nga digjitalizimi dhe sistemi i ri, që kishin bllokuar procesin e regjistrimit në muajt e fundit. Afati për përshtatje me ligjin është shtyrë deri më 15 qershor.

Ndryshimet përcaktojnë më saktë procedurat për aktet themeluese të kompanive, duke kërkuar nënshkrime të verifikuara për dokumentet fizike dhe nënshkrime elektronike të kualifikuara për ato digjitale, të cilat regjistrohen në Regjistrin Qendror të Subjekteve Afariste.

Gjithashtu, u miratua ligji për mbrojtjen e konkurrencës.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Nik Gjeloshaj, theksoi se ky ligj është plotësisht i harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Evropian dhe dëshmon përkushtimin e Malit të Zi ndaj integrimit evropian dhe përmbushjes së detyrimeve nga negociatat, veçanërisht në kuadër të Kapitullit 8 për konkurrencën.

Në fund, Kuvendi miratoi edhe ligjin për mbikëqyrjen e produkteve në treg.

SHARE