KOS: MALI I ZI VENDI MË I AVANCUAR NË RRUGËN DREJT BE-së, KËRKOHET PËRSHPEJTIM I REFORMAVE

Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore

Komisionerja Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Mali i Zi është vendi kandidat më i avancuar në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe po bën përparim të qëndrueshëm.

Gjatë vizitës zyrtare, ajo u takua me kryeministrin Millojko Spajiq, ku pas takimit u mbajt konferencë për media.

Kos theksoi se reformat duhet të përshpejtohen, sidomos në zbatimin e ligjeve dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Ajo kërkoi një gjyqësor të pavarur dhe efikas në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe media të lira, duke nënvizuar se për këto parime nuk do të ketë kompromis nga BE-ja.

Po ashtu, Kos shtoi se BE-ja ka nxjerrë mësime nga zgjerimet e mëparshme dhe synon të sigurojë që vendet anëtare të respektojnë rregullat.

Ajo vlerësoi se Mali i Zi është në fazën përfundimtare të procesit të integrimit dhe bëri thirrje për unitet politik për arritjen e këtij qëllimi.  

Kryeministri Spajiq u shpreh se vlerësimet pozitive tregojnë se Mali i Zi është në rrugën e duhur dhe po hyn në një fazë të re evropiane.

Ai theksoi se fokusi mbetet te kapitujt 23 dhe 24 (sundimi i ligjit), ndërsa aktualisht kanë mbetur edhe 19 kapituj për t’u mbyllur.

Sipas tij, ky është një vit kyç dhe priten përparime të mëtejshme. Spajiq shtoi se procesi i negociatave po zhvillohet sipas planit, por kërkon përpjekje të mëdha, pasi Mali i Zi duhet të përshtasë rreth 300 mijë faqe të legjislacionit të BE-së.

Ai u shpreh optimist se Mali i Zi do të përmbushë detyrimet, duke theksuar se më e rëndësishme është arritja e standardeve sesa afatet kohore.

Në lidhje me reformat në siguri dhe polici, Kos theksoi se ligjet për Agjencinë Kombëtare të Sigurisë dhe punët e brendshme duhet të harmonizohen me direktivat evropiane, ndërsa Spajiq siguroi se puna në këtë drejtim është në zhvillim.

Ajo gjithashtu kërkoi që punësimi në polici të bëhet mbi baza profesionale dhe paralajmëroi monitorim të vazhdueshëm nga BE-ja.

Në fund, u theksua se Mali i Zi mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj integrimit evropian dhe synon mbylljen graduale të kapitujve në periudhën e ardhshme.

SHARE