QEVERIA E KOSOVËS KËRKON VEPRIME INSTITUCIONALE PËR VRASJET E DITËVE TË FUNDIT NË VEND

Foto: Erkin Keçi / AA

Katër persona janë vrarë si pasojë e të shtënave me armë zjarri në tri raste të ndara në tri ditët e fundit në Kosovë dhe për këtë ka reaguar kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës duke kërkuar veprime të menjëhershme institucionale, raporton Anadolu.

Ditën e diel, më 23 mars u vra një 19 vjeçar në qytetin e Vushtrrisë, ku dyshohet se u qëllua me armë zjarri nga një bashkëmoshatar i tij, i cili u arrestua nga policia dhe pranoi fajësinë.

Një ditë pas këtij rasti, të hënën më 24 mars ndodhi një vrasje e dyfishtë ku një burrë dyshohet se vrau një grua dhe më pas edhe veten. Rasti ndodhi në fshatin Stanoc të Vushtrrisë.

Derisa, të martën e 25 marsit, një person rreth moshës 60 vjeçare mbeti i vrarë në Prishtinë pas plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarrin që ndodhën në lagjen “4 Llullat”. Derisa i dyshuari sipas njoftimeve zyrtare të deritanishme ndodhet ende në arrati.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar shprehu shqetësimin dhe brengën për situatën pas katër vrasjeve të regjistruara në tre ditët e fundit.

Ai ftoi organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasve në mënyrë që edhe të vihet drejtësi edhe të parandalohen raste të këtilla në të ardhmen.

“Vrasja është akti më i rëndë që mund t’ia bëjë njeriu-njeriut. Ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut por edhe e shoqërisë në të cilën ai njeri bënte pjesë”, theksoi Kurti.

Ai tha se gjithë vendi është tronditur nga kjo seri e vrasjeve e cila duhet të ndalet dhe të dënohet. “Na duhet sigurisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne, për secilin prej nesh”, theksoi Kurti.

Kurti tha se këto ngjarje të rënda, ndodhën pikërisht në javën kur Kosova shënon 26-vjetorin e fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë, për ta ndalë gjenocidin e Serbisë dhe në kohën e përkujtimit të masakrave të aparatit shtetëror të Serbisë “që synonte shfarosjen e popullit shqiptar”.

SHARE