DANIMARKA “PËRGATITET PËR LUFTË”, VENDOSET SHËRBIMI I DETYRUESHËM USHTARAK PËR GRATË

Foto: Top Channel

Në Europë fryn erë lufte: Mes pasigurisë që po rrethon fatin e Ukrainës dhe frikës së një tërheqjeje të ombrellës mbrojtëse të SHBA-së, mbërrin lajmin se Danimarka do të vendosë shërbimin e detyrueshëm ushtarak për gratë.

Nga viti 2026 e në vazhdim, edhe femrat mund të thirren për shërbim ushtarak në të njëjtat kushte me burrat. Qëllimi i qartë i kësaj lëvizjeje është rritja e aftësisë  mbrojtëse të vendit. Kështu, Danimarka do të shtojë numrin e rekrutëve për Ushtrinë Daneze dhe për Agjencinë Daneze të Mbrojtjes Civile. Nga rreth 4,700 vetë tani, ky numër duhet të shkojë në 7,500 vetë.

Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, tha se nëse për shërbimin e detyruar ushtarak nuk paraqiten një numër i mjaftueshëm vullnetarësh, gratë mund të rekrutohen edhe me detyrim. Sipas këtij vendimi femrat që mbushin 18 vjeç pas 1 korrikut të këtij viti mund të rekrutohen për shërbim ushtarak gjatë vitit 2026.  “Barazia është e mirë dhe rrit mundësinë e ndërtimit të fuqisë luftarake në mbrojtjen daneze,” tha ministri për të përditshmen daneze Jyllands-Posten.

Në Danimarkë shërbimi i detyrueshëm ushtarak zbatohet deri tani vetëm për burrat e moshës 18 vjeç e lart. Për gratë deri sot shërbimi ushtarak nuk është i detyrueshëm, por ato mund të regjistroheshin vullnetarisht për të marrë pjesë në këtë shërbim.

Gratë përbëjnë 25 për qind të rekrutëve të ushtrisë daneze. Me këtë vendim Danimarka bëhet vendi i dytë i BE-së ku ekziston rekrutimi i grave për shërbimin e detyruar ushtarak. Një ligj i tillë është në fuqi në Suedi që nga viti 2017.

SHARE