FORCA: TË DISKUTOHET MBI ÇËSHTJEN E HULUMTIMIT TË NAFTËS NË AFËRSI TË ULQINIT

Klubi i këshilltarëve të Forcës së re demokratike i ka propozuar Kuvendit të Komunës së Ulqinit; që në mbledhjen e dytë të Seancës së Parë të Rregullt të shqyrtohet dhe diskutohet: çeshtja e hulumtimit të naftës në afërsi të Ulqinit dhe të sjellin përfundimet në lidhje më hapat konkrete që duhet të ndërmarrin në mënyrë institucionale nëpërmjet Komunës së Ulqinit. Në kumtesë thuhet se, Forca e Re Demokratike e përfaqësuar në pushtetin qendror nëpërmjet deputetit të vet dhe në Kuvendin e Ulqinit me këshilltarët e saj, nuk zbrapset nga mbrojtja e kauzave të tyre që janë postulate për popullin autokton, në mbrojtjen e potencialeve natyrore, ekonomike, kulturore dhe kombëtare që duhet, para së gjithëve, të jenë në shërbim të zhvillimit dhe mirëqenies së banorëve të Ulqinit. Ata theksuan se Kuvendi duhet të diskutojë dhe të sjell përfundime: për impaktin në mjedis dhe ekonomi, për shkatërrimin e bregdetit dhe ndërrimin e destinacionit nga një qytet turistik në qytet industrial, për shkeljen e konventës për vetëqeverisje lokale, nënshkruese e të cilës është edhe Mali i Zi, shkeljet e të drejtës së popujve autokton siç janë shqiptarët në Mal të Zi, referendum lokal e deri në protesta. Përfundimet që do të merren në Kuvend duhet t’i dërgohen Qeverisë por edhe Komunave bregdetare në Mal të Zi si dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në Mal të Zi.

SHARE