MILORAD DODIK DËNOHET ME NJË VIT BURG DHE 6 VJET NDALESË POLITIKE

Foto: AA

Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës shpalli vendimin e saj sot për Milorad Dodikun, duke e dënuar atë me një vit burg dhe 6 vjet ndalesë nga mbajtja e detyrës së presidentit të entitetit serb Republika Sërpska, për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në BeH, raporton Anadolu.

I pandehuri i dytë në këtë rast, Millosh Lukiq, ushtrues detyre drejtor i “Gazetës Zyrtare” të Republikës Sërpska, është liruar nga akuzat për kryerjen e veprës penale të lartpërmendur, ka konfirmuar Gjykata e BeH-së.

Asnjë nga të pandehurit apo avokatët e tyre nuk morën pjesë në shpalljen e vendimit para Gjykatës së BeH-së.

Vendimi është aktgjykim i shkallës së parë ndërsa Dodik dhe Lukiq kanë të drejtë ankese ndaj tij.

Dodik dhe Lukiq akuzohen se nga 1 deri më 9 korrik 2023, në Banja Llukë, kanë vazhduar veprimet ligjore pa zbatuar vendimet e Përfaqësuesit të Lartë, Christian Schimdt, duke e ditur dhe duke qenë të vetëdijshëm se Përfaqësuesi i Lartë kishte sjellë vendim me të cilin pengohej hyrja në fuqi e dy ligjeve. Bëhet fjalë për Ligjin e RS-së për Moszbatimin e Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të BeH-së dhe Ligji për Ndryshimet Ligjore për Publikimin e Ligjeve dhe Rregulloreve të tjera të RS-së.

Moszbatimi i vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë në BeH-së është vepër penale, e dënueshme me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Në fjalët e saj përfundimtare në gjyq, Zyra e Prokurorit të BeH-së kërkoi një dënim më afër maksimumit ligjor si dhe ndalimin e mbajtjes së funksioneve publike për një periudhë prej 10 vjetësh.

Gjyqi ka zgjatur një vit.

Që nga fillimi i gjyqit, Dodik ka ushtruar presion mbi Gjykatën e BeH-së dhe mbështetësit e tij janë mbledhur para ndërtesës së gjykatës përpara çdo seance.

SHARE