Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Rritja e numrit të psikologëve, pedagogëve në institucionet arsimore, si dhe mësuesve të arsimit special dhe logopedëve të arsimit special në qendrat burimore, është masa më e rëndësishme e paraparë me këtë Rregullore, me synim ofrimin e mbështetjes psikosociale dhe parandalimin e dhunës dhe ruajtjen e shëndetit mendor, tha ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq Stojanoviq.
“Në vend të normës së mëparshme që shkollat me deri në 300 nxënës mund të kishin një person në detyrën e pedagogut apo psikologut, ndryshimet e reja e kanë ulur atë kufi në 100 nxënës. Institucionet me më shumë se 450 nxënës do të kenë të drejtë për një psikolog dhe një pedagog, institucionet me mbi 1.000 nxënës deri në tre profesionistë të profesionit të lartpërmendur, ndërsa shkollat me mbi 1.400 nxënës do të mund të punësojnë 4 profesionistë në shërbime psikologjike dhe pedagogjike”, tha Jakshiq-Stojanoviq.
Për të siguruar që të gjithë nxënësit në shkollat malazeze të marrin llojin e nevojshëm të mbështetjes, dy ose më shumë institucione me më shumë se 100 nxënës do të kenë mundësinë të punësojnë një psikolog ose pedagog të përbashkët, ndërsa shkollat më të vogla që nuk janë në këtë pozitë do të kenë mundësi të përdorin këtë lloj mbështetjeje në institucionin më të afërt ku janë të angazhuar bashkëpunëtorët profesional.
“Përveç numrit të psikologëve dhe pedagogëve, shkollat do të forcohen edhe me punonjës socialë, në përputhje me nevojat e vlerësuara të institucionit”, tha ministrja.
Siç njoftoi ajo, cilësia e ofrimit të shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor do të përmirësohet edhe në institucionet parashkollore, ku është konstatuar rritje e numrit të punëtorëve në kujdesin mjekësor, si dhe në përgatitjen dhe servirjen e ushqimit.