BE-ja E GATSHME TË LEHTËSOJË PROCESIN E MARRËVESHJES MES OPOZITËS DHE QEVERISË

Foto: AFP

U takon aktorëve politikë në Mal të Zi që të arrijnë një marrëveshje politike për të kërkuar një opinion nga Komisioni i Venecias dhe të angazhohen për ta respektuar atë, kështu ka bërë të ditur për Portalin e RTMZ Delegacioni i Bashkimit Evropian në Mal të Zi.

“Ne inkurajojmë të gjithë aktorët politikë që së bashku të mbështesin reformat kryesore evropiane në Parlament, në mënyrë që vendi të mbetet në rrugën e duhur për të përmbushur qëllimin e tij ambicioz për mbylljen e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2026,” thanë nga Delegacioni i BE.

Të rikujtojmë se, opozita parlamentare ka vendosur të bojkotojë seancat e Kuvendit të Malit të Zi për shkak të vendimit të Komisionit Kushtetues dhe Parlamentit për pensionimin e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese Dragana Gjuranoviq dhe synimit të shumicës parlamentare për të pensionuar edhe dy gjyqtarë të kësaj gjykate. Ata nuk kanë lejuar mbajtjen e seancave deri në rrëzimin e këtij vendimi, sepse mendojnë se është shkelje e Kushtetutës. Për miratimin e buxhetit, Kolegjiumi i Kryetarit të Kuvendit vendosi në fillim të shkurtit që të largojë nga seancat për 15 ditët e ardhshme përfaqësuesit e opozitës, të cilët disa herë kanë bllokuar punën e Kuvendit.

“U takon aktorëve politikë në Mal të Zi që të arrijnë një marrëveshje politike për të kërkuar një opinion nga Komisioni i Venecias dhe të angazhohen për ta respektuar atë. BE-ja është e gatshme ta lehtësojë këtë proces”, thuhet në përgjigjen e Delegacionit për Portalin.

SHARE