U PUBLIKUA THIRRJA E PARË PUBLIKE NË KUADËR TË IPARD-it

 

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të MZ, publikoi  sot thirrjen e parë publike për ndarjen e fondeve të ndihmës financiare në kuadër të Programit IPARD II, me realizimin e të cilës në katër vitet e ardhshme në bujqësinë e Malit të Zi, do të investohen 87 milion euro.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të MZ, Millutin Simoviq, tha sot se ftesa publike është shpallur për Masat 1 të Investimeve në Kapitullin Fizik të Fermave Bujqësore.

“Me realizimin e IPARD,  në katër vitet e ardhshme, 87 milionë euro do të investohen në bujqësinë e MZ, prej të cilave 39 milionë nga fondet evropiane, 12 milion nga buxheti kombëtar dhe 36 milion nga prodhuesit”, tha Simoviq në  konferencë për shtyp të mbajtur në fermën e Vaso Ujkiq.

Siç kumtohet, përdoruesit e kësaj ftese publike mund të jenë të gjithë qytetarët dhe kompanitë që janë të regjistruar për bujqësi dhe tashmë kanë prodhime të caktuara bujqësore në sektorët e qumështit, mishit, prodhimit të vezëve, kultivimit të frutave, hortikulturës, kultivimit të kërpudhave dhe të bimëve mjekësore dhe atyre aromatike, ullinjve, bletarisë dhe peshkimit.  “Objekti i investimit mund të jetë ndërtimi ose rindërtimi i objekteve, blerja e pajisjeve, të makinerisë, rregullimi i infrastrukturës në ferma, ngritja e pemishteve, vreshtave, ullishtave, zonave të mbrojtura, investimeve në sistemet për shfrytëzimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë, prokurimin e koshereve dhe ndërtimin e pellgjeve të peshkut”, deklaroi Simoviq.

Me këtë thirrje publike do të mbështetën investimet në shumën prej 10 mijë deri në 500 mijë euro dhe kjo mbështetje do të jetë deri në 60 për qind të shpenzimeve të pranueshme dhe nëse behet fjalë për një fermer të ri nën 40 vjeç, mbështetja do të jetë 65 për qind, ndërsa për ata që realizojnë investimet në viset malore të sipërfaqes 600 metra mbi nivelin e detit,  mbështetja do të jetë deri në 70 përqind.

“Thirrja publike është e hapur deri më 15 maj 2018, ndërsa përveç kësaj duke filluar nga java e ardhshme, do ti promovojmë këto ftesa drejtpërdrejt në terren. Paralajmëroj se së shpejti do të shpallim një thirrje tjetër publike nga IPARD-i i madh, i cili ka të bëj me përpunuesit “, deklaroi Simoviq.

SHARE