MARRËDHËNIET TREGTARE BE–SHBA: PËRFITIME, NDËRVARËSI DHE SFIDA

Tregtia mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara mbetet e fortë, por edhe e pasigurt, veçanërisht për shkak të politikave të reja tarifore të Presidentit Donald Trump. BE-ja është partneri më i madh tregtar i SHBA-së dhe së bashku përfaqësojnë mbi 40% të prodhimit ekonomik global, si dhe rreth një të tretën e tregtisë botërore. Në vitin 2024, shkëmbimet tregtare të mallrave arritën mbi 975 miliardë dollarë, ndërsa duke përfshirë edhe shërbimet, vëllimi total arriti rreth 1.68 trilionë euro. Megjithatë, SHBA-ja ka një deficit të madh tregtar me BE-në në mallra, i cili u rrit në 197 miliardë euro në vitin 2024. BE-ja ka suficite të mëdha në sektorë si automobilet dhe farmaceutikët, ndërsa SHBA-ja vetëm në energji (naftë, gaz dhe qymyr). Situata balancohet pjesërisht nga tregtia e shërbimeve, ku SHBA-ja, falë gjigantëve të teknologjisë dhe shërbimeve digjitale, regjistron një suficit prej rreth 148 miliardë eurosh. Sipas të dhënave të DË-së, kur merren parasysh si mallrat ashtu edhe shërbimet, deficiti i SHBA-së zvogëlohet në rreth 50 miliardë euro, çka tregon se marrëdhënia tregtare është më e ekuilibruar sesa paraqitet shpesh. Europa është gjithashtu një treg kyç për eksportet amerikane të energjisë, veçanërisht për gazin natyror të lëngshëm (LNG). Pas luftës në Ukrainë, BE-ja është bërë blerësi kryesor i LNG-së amerikane, duke krijuar një varësi të ndërsjellë: ndërprerjet do të dëmtonin si Evropën, ashtu edhe prodhuesit amerikanë. Në bujqësi, SHBA-ja varet nga tregu evropian për produkte si soja. Kundërtarifat e mundshme të BE-së mund të dëmtojnë fermerët amerikanë, ndërsa kontinenti i vjetër ka alternativa importi nga vende si Brazili. SHBA-ja varet gjithashtu nga Europa për financimin e borxhit të saj të lartë publik, pasi kreditorët europianë mbajnë pothuajse gjysmën e borxhit amerikan të financuar nga jashtë. Politikat tarifore kanë ndikuar gjithashtu në dobësimin e dollarit. Një dollar i dobët i ndihmon eksportet amerikane, por rrit nga ana tjetër inflacionin për shkak të importeve më të shtrenjta. Në terësi, marrëdhëniet tregtare BE–SHBA shihen si thellësisht të ndërvarura, me përfitime dhe rreziqe për të dyja palët, çka e bën çdo konflikt tarifor një lojë problematike me pasoja të ndërsjella.

SHARE