ODESA SHPALLET ZONË E RREZIKUAR E TRASHËGIMISË BOTËRORE

Qendra historike e qytetit ukrainas të Odesas, është shpallur zonë e rrezikuar e Trashëgimisë Botërore nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturë (UNECSO). Agjencia ka thënë se vendimi i saj e njeh “vlerën e jashtëzakonshme” të kësaj zone. Mirëpo Rusia e ka kritikuar këtë vendim, duke thënë se është “i motivuar politikisht”. E njohur si perla e Detit të Zi, Odesa është bombarduar disa herë nga Rusia, prej nisjes së luftës në Ukrainë. Vitin e kaluar, banorët kanë tentuar të mbrojnë monumentet e qytetit dhe disa ndërtesa, duke i mbuluar me thasë. Duke folur pas votimit, shefja e UNESCO-s, Audrey Azoulay, ka thënë se shpallja e qytetit si zonë e Trashëgimisë Botërore është hap i rëndësishëm. Ajo ka thënë se vendimi nënkupton që të gjitha vendet anëtare të konventës, përfshirë Rusinë, kanë obligim “që të mos e shkatërrojnë me qëllim” këtë zonë. Disa pjesë të Odesas janë shpallur në listën e Trashëgimisë Botërore në rrezik, çka do të thotë se UNESCO i jep qytetit qasje në ndihmë teknike dhe financiare. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka mirëpritur këtë vendim, duke thënë se është “mirënjohës ndaj partnerëve që na kanë ndihmuar në mbrojtjen e kësaj perle nga sulmet e pushtuesit rus”. Rusia, e cila ka tentuar vazhdimisht që të shtyjë votimin, e ka akuzuar Ukrainën për “shkatërrim” të monumenteve të veta.

SHARE