Foto: Shutterstock
Qendra Klinike e Malit të Zi i është bashkuar fushatës globale “Bashkohuni për t’i dhënë fund dhunës digjitale ndaj të gjitha grave dhe vajzave – UNiTE to End Digital Violence against All Women and Girls”, e cila këtë vit fokusohet te dhuna digjitale ndaj grave dhe vajzave, duke përfshirë ngacmimet online, ndjekjen, shantazhin, shpërdorimin e të dhënave personale dhe gjuhën e urrejtjes.
Studimet tregojnë se në Evropën Lindore, përfshirë Malin e Zi, mbi 50% e grave mbi 18 vjeç kanë përjetuar një formë të tillë dhune të ndërmjetësuar nga teknologjia.
QKMZ thekson se ky angazhim vjen edhe për shkak të përhapjes së dhunës ndaj grave në përgjithësi: sipas OBSH-së, një në tre gra në botë ka përjetuar dhunë fizike ose seksuale gjatë jetës, ndërsa raporti i OKB-së i vitit 2024 thekson tri sfida në rritje: rritja e kundërshtimeve ndaj të drejtave të grave, zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe përhapja e “manosferës” – rrjete mizogjene që nxisin stereotipe dhe dhunë ndaj grave.
Qendra Klinike e Malit të Zi dënon çdo formë mizogjinie, diskriminimi dhe gjuhe urrejtjeje, duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka sistemi shëndetësor si zë mbështetjeje dhe solidariteti.
Përmes iniciativës “Hajde të flasim”, në bashkëpunim me CrossMedia dhe partnerë të tjerë, QKMZ ofron mbështetje për shëndetin mendor të grave, informacion profesional për identifikimin e dhunës, vendosjen e kufijve dhe kërkimin e ndihmës, me fokus në parandalim, barazi gjinore dhe zhvillim të empatisë.
Gjithashtu, në bashkëpunim me UNDP Montenegro, QKMZ ka nisur hartimin e Planit të Barazisë Gjinore, që synon përmirësimin e pozitës së grave në shëndetësi dhe forcimin e ndërgjegjësimit për dhunën me bazë gjinore.
QKMZ dhe iniciativa “Hajde të flasim” i bashkohen fushatës 16 ditë aktivizmi për të ngritur zërin kundër çdo forme dhune ndaj grave dhe vajzave — si në hapësirën reale, ashtu edhe në atë digjitale.









