KOMUNA E TUZIT DORËZON PADI PËR ANULIMIN E LEJES NDËRTIMORE TË MINISTRISË

Komuna e Tuzit njofton se ka dorëzuar padinë në Gjykatën Administrative të Malit të Zi, duke kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme, për të anuluar vendimin e Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Urbanizmit dhe Pronësisë Shtetërore, i cili më 18 nëntor 2025 kishte lëshuar leje ndërtimore për ndërtimin e vaskës sanitare 5 në parcelën urbanistike UP 8-10.

Në një deklaratë për mediat, Komuna e Tuzit thekson se ky vendim është marrë duke shkelur rëndë procedurat dhe duke aplikuar gabimisht ligjin material.

“Ministria ka vepruar mbi bazën e një supozimi të pasaktë se lokacioni ndodhet në territorin e Podgoricës, ndërkohë që ai gjendet qartësisht në Komunën e Tuzit. Shërbimet tona kompetente nuk janë përfshirë në procedurë dhe nuk është kërkuar asnjë miratim ligjor i pushtetit lokal,” thuhet në deklaratë.

Kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, u shpreh: “Një veprim i tillë përbën shkelje të rëndë të kompetencave, ndërhyrje në autonominë e pushtetit lokal dhe injorim të territorit të qartë, i cili mund të verifikohet lehtësisht nga dokumentacioni dhe regjistrat zyrtarë.“

Komuna ka kërkuar nga gjykata që të vendosë një masë të përkohshme që të ndalohet zbatimi i lejes ndërtimore deri në përfundimin e procesit gjyqësor, për të parandaluar dëme të rënda, sidomos në rast se fillojnë punimet bazuar në lejen e dhënë në mënyrë të paligjshme.  

Kryetari Gjelaj theksoi se Komuna e Tuzit do të vazhdojë të mbrojë interesat e qytetarëve, integritetin territorial dhe kompetencat e garantuara nga Kushtetuta.

SHARE