Foto: Shutterstock
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Luftës kundër Dhunës ndaj Grave, Zyra e Mbrojtësit të të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të Malit të Zi shprehu shqetësim për rritjen e rasteve të dhunës me bazë gjinore, duke theksuar se dhuna ndaj grave është shkelje serioze e të drejtave të njeriut dhe pengesë për zhvillimin e një shoqërie të barabartë dhe të sigurt.
Sipas të dhënave të Këshillit Gjyqësor, nga 1 janari deri më 31 korrik 2025 janë evidentuar 786 raste të dhunës në familje, krahasuar me 446 raste në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në këtë periudhë janë zgjidhur 396 raste, prej të cilave 187 me vendime të formës së prerë, duke përfshirë dënime me burg, dënime me kusht, masa të trajtimit të detyrueshëm dhe ndalime të afrimit.
Institucioni vuri në dukje se dhuna me bazë gjinore shfaqet edhe përmes gjuhës mizogjene dhe seksiste, sidomos në rrjetet sociale, për të cilën ende mungon reagim sistemik.
Avokati i Popullit mbështet nismën ligjore për kriminalizimin e femicidit dhe u bën thirrje institucioneve të forcojnë mekanizmat e mbrojtjes, të përmirësojnë sistemin e raportimit, të rrisin fushatat dhe edukimet, si dhe të përfshijnë komunitetin në parandalim.
Në deklaratë theksohet se dhuna ndaj grave nuk është çështje private, por problem shoqëror që kërkon reagim të menjëhershëm, dhe se respektimi i të drejtave të njeriut është themel i çdo shoqërie demokratike.









