MAROVIQ JEP DORËHEQJE NGA TË GJITHA FUNKSIONET

Zëvendëskryeministrja për Politikë të Jashtme dhe Ministre e Çështjeve Evropiane Jovana Maroviq ka dhënë dorëheqje nga këto pozita. Ajo gjithashtu i dha fund përfshirjes së saj në Lëvizjen Qytetare URA. “Ju njoftoj se pas votimit të mosbesimit të Qeverisë së 43-të të Malit të Zi në seancën e Kuvendit të datës 19 gusht 2022, jap dorëheqje – nga posti i Zëvendëskryeministres për Politikë të Jashtme, Integrime Evropiane dhe Bashkëpunim Rajonal dhe Ministre e Çështjeve Evropiane në mandatin teknik”, ka shkruar Maroviq në një letër drejtuar kryetares së Kuvendit, Danijela Gjuroviq. Maroviq ka deklaruar në Facebook se ka dhënë dorëheqje edhe nga pozita e nënkryetares së Lëvizjes Qytetare URA. Ajo tha se pozitat në Qeveri dhe në parti i ka marrë me entuziazëm të madh dhe me dëshirë që procesi i negociatave për anëtarësim ta çojë në fazën përfundimtare dhe vendin drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Duke komentuar dorëheqjen e zëvendëskryeministres Jovana Maroviq, kryeministri Dritan Abazoviq tha se nuk mendon se ajo është fajtore për gjendjen në të cilën ndodhet Mali i Zi në raport me integrimet evropiane. “I jam mirënjohës koleges Maroviq për gjithçka që ka bërë. Nuk mendoj aspak se ajo është fajtore për situatën në të cilën ndodhet Mali i Zi në raport me integrimet evropiane, në kuptimin që ne nuk kemi mundur të marrim tre vendimet kryesore që janë në Kuvendin e Malit të Zi nuk janë pjesë e agjendës së Qeverisë. Kështu që e kuptoj nga ai aspekt”, tha Abazoviq.

SHARE