KOSOVA DHE SERBIA RREZIKUAN PËRSHKALLËZIMIN E KONFLIKTIT

Përfaqësuesi i lartë i BE-së per politiken e jashtme Josep Borrell deklaroi se marrëveshja e fundit mes Beogradit dhe Prishtinës për targat parandaloi rrezikun e shpërthimit të një krize tjetër, e cila mund të kishte shkaktuar përshkallëzim të dhunës në veri të Kosovës. “Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë u arrit falë ndërmjetësimit të BE-së dhe përfaqësuesit tim që udhëhoqi bisedimet. Unë mendoj se propozimi që Beogradi të ndalojë lëshimin e targave dhe qe Prishtina u zotua të ndalojë zbatimin e masave ndëshkuese është i arsyeshëm. Mendoj se kjo është një marrëveshje shumë e rëndësishme sepse parandalon rrezikun e shpërthimit të një krize tjetër që mund të kishte shkaktuar një përshkallëzim të dhunës në veri të Kosovës. Tani fokusi i bisedimeve mund të zhvendoset në “normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Borrell. Borell shprehu besimin se me mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare do të vijojnë diskutimet për propozimin, i cili ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë dhe Francës, propozim qe sipas tij e kanë pranuar Beogradi dhe Prishtina. BE synon që me përfshirjen e drejtpërdrejtë të Berlinin e Parisit në dialog ata do të ndihmojnë në tejkalimin e krizës në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e përhershme në marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

SHARE