HESHTJE RRETH VARREZËS SË RE MASIVE NË SERBI

Zyrtarët serbë nuk i kanë kushtuar vëmendje as lajmit për zbulimin e një varreze të re masive në Serbi, ku besohet se gjenden trupa të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Pak më shumë se një jave më parë drejtori i Institutit për Mjekësi Ligjore në Prishtinë, Arsim Gerxhaliu, deklaroi se në Kizhevak në komunën e Rashkës është gjetur një varrezë masive. Dy ditë më vonë kryetari i komisionit për personat e zhdukur në qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviç, tha se besohet se varri ka 15 deri 17 trupa dhe se identifikimi i tyre do të jetë i mundur pas analizës së ADN-së. Po në të njëjtën ditë departamenti i krimeve të luftës i gjykatës së lartë të Beogradit kërkoi ekshumimin e trupave të gjetur në këtë komunë në Serbinë jugperëndimore. I vetmi përfaqësues i opozitës, i cili foli për këtë çështje, ishte kryetari i Forumit Demokratik Qytetar (GDF), Zoran Vuletiç. Në deklaratën e tij ai kujtoi se varreza masive në Rashkë nuk është e vetmja e gjetur në Serbi: “Varret e fshehura tregojnë papërgjegjësi të vazhdueshme të shtetit dhe bashkëpunim të padyshimtë në krim.”

SHARE