NISHIQ: LAVDËRIME NË BRUKSEL PËR MALIN E ZI PËR PËRMBUSHJEN E DETYRIMEVE

Mali i Zi mori të gjitha lavdërimet për përmbushjen e detyrimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE), tha në Bruksel ministrja e Punës, Punësimit dhe Dialogut Social Naida Nishiq.

Nishiq mori pjesë në Forumin e Nivelit të Lartë për Zgjerimin, organizuar nga Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian, së bashku me Komisionin Evropian.

“Ishte vërtet një forum cilësor dhe jam shumë e kënaqur që pata mundësinë të marr pjesë, të diskutoj për tregun e punës, punësimin e të huajve, punësimin sezonal të punëtorëve dhe si të krijojmë kushte më të mira jetese për qytetarët tanë si dhe për ata që vijnë në Mal të Zi për të jetuar dhe punuar”, tha ministrja Nishiq.

Në forum u theksua se Komisioni i ardhshëm Evropian duhet të jetë Komisioni i Zgjerimit dhe se çështja nuk është nëse BE-ja duhet të zgjerohet, por si të bëhet në mënyrën e duhur.

“Unë sinqerisht shpresoj që gjatë mandatit të ardhshëm të KE-së, Mali i Zi të mund të jetë anëtar i plotë i BE-së. Pritjet e mia shkojnë në atë drejtim. Mendoj se edhe mesazhet që janë dërguar në forum janë më se optimiste dhe mezi pres”, tha Nishiq.

Mesazhi kryesor i pjesëmarrësve të forumit ishte se shoqërisë civile dhe partnerëve socialë, të cilët shpesh neglizhohen në procesin e anëtarësimit, duhet t’i jepet një rol qendror në procesin e zgjerimit të BE-së.

Nishiq theksoi se bashkëpunimi ndërmjet partnerëve socialë dhe sektorit civil në Mal të Zi është mjaft i mirë, por edhe se ka hapësirë ​​për forcimin e tij.

SHARE