Në Këshillin e Sigurimit është diskutuar nevoja për më shumë mbështetje për gratë në zonat e konfliktit.
Në Debatin e Hapur të Këshillit të Sigurimit për agjendën “Gratë, Paqja dhe Siguria” foli edhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
“Për avancimin e kësaj agjende është e rëndësishme që ne të ndajmë burime të përshtatshme financiare për të mbështetur gratë, veçanërisht ato që veprojnë në zonat e prekura nga konflikti. Është thelbësore të vendosen kuota për pjesëmarrjen e grave në proceset e paqes dhe të përdoren teknologjitë e reja për të përforcuar zërat e grave në proceset e paqes”, tha ministri Hasani.
Sipas shefit të diplomacisë shqiptare, ky investim nuk është thjesht një detyrim financiar por një vendimtar drejt nxitjes së barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave në rolet e tyre si katalizatorë për paqen.
“Shqipëria ka integruar buxhetimin e barazimit gjinor si në nivel qendror ashtu edhe në atë vendor, dhe aktualisht po harton Planin e dytë Kombëtar të Veprimit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë duke përforcuar më tej angazhimin e saj ndaj politikave të fuqizimit të grave”.
“Shqipëria mbështet plotësisht rekomandimin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, që një e treta e pjesëmarrësve në proceset e ndërmjetësimit dhe paqes të jenë gra, me qëllimin përfundimtar për të arritur barazinë gjinore”, theksoi Igli Hasani.