KURTI DAKORDOHET QË PLANI I EMISARËVE TË JETË KORNIZË PËR DISKUTIME TË MËTEJSHME

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dakorduar që plani i emisarëve perëndimorë – i prezantuar ditë më parë – të jetë kornizë për bisedimet e mëtejshme me Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën dhe Italinë.

Kështu ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës, duke e konfirmuar pjesëmarrjen e Kurtit në takimet e 26 tetorit në Bruksel.

Të enjten, Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, do t’i takojnë veç e veç presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Ata janë ftuar në Bruksel katër ditë pasi emisarët perëndimorë i kanë kërkuar Kosovës dhe Serbisë që t’i normalizojnë marrëdhëniet, në disa takime që i kanë zhvilluar në Prishtinë dhe Beograd.

Gjatë takimit në Prishtinë, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, ka thënë se me Kurtin ka diskutuar për një plan.Qeveria ka thënë se takimi do të jetë “në kuptim të diskutimeve të nisura me 5 emisarët në të cilin ata propozuan një plan të ri që përfshinte një paketë më të plotë të zbatimit gjithëpërfshirës të Marrëveshjes Bazike bashkërisht me një draft të propozuar për zbatimin e nenit 7”.

Qeveria i është referuar Marrëveshjes për normalizim marrëdhëniesh, të arritur mes dy vendeve në shkurt të këtij viti në Bruksel. Dy palët më vonë janë marrë vesh për aneksin e zbatimit, në mars, në Ohër.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë më 24 tetor se blloku evropian ka bërë “propozim modern evropian” për draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Asociacioni është ndër pikat më të nxehta në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

SHARE