Qendra Klinike e Malit të Zi do të zgjerojë kapacitetet e saj hapësinore dhe e para nga pesë klinikat që do të hapen është Klinika e Shëndetit Mendor, e cila pritet të përfundojë për katër muaj, tha drejtoresha e institucionit më të madh shëndetësor në vend, Dr. Lilana Radulloviq.
Kjo klinikë do të ketë një seksion që merret me psikiatrinë e fëmijëve, që sipas saj është shumë e rëndësishme.
E ftuar në programin e mëngjesit të Televizionit të Malit të Zi, ajo tha se kanë probleme të mëdha me mungesën e kuadrove, por se stafi mjekësor nuk mungon vetëm në vendin tonë, por në mbarë botën.
“Tani duhet të tërheqim dikë që është në shkollë fillore dhe të mesme për të zgjedhur këtë profesion. Mjekët kanë nevojë për edukim të vazhdueshëm, vazhdimi i trendit të investimeve në shëndetësi është shumë i rëndësishëm që të kemi atë sistem shëndetësor që dëshirojmë të gjithë”, ka theksuar Radulloviq.
Ajo tha se kanë planifikuar pesë objekte që janë të rëndësishme për ta, në mënyrë që sistemi shëndetësor të funksionojë siç duhet.
“Klinika e parë që do të jetë gati është Klinika e Shëndetit Mendor, e presim për katër muaj. Në mesin e vitit të ardhshëm, në verë, do të marrim një Klinikë për Sëmundje Infektive dhe një Klinikë për Dermatovenerologji. Do të kemi edhe Klinikën Infektive me kujdes intensiv, që nuk kemi pasur as laborator mikrobiologjik si pjesë e QKMZ, kështu që edhe kjo do të ndryshojë”, ka thënë Radulloviq.