Kryeministri i ri i Britanisë, Rishi Sunak mori nga mbreti Charles III detyrën për formimin e qeverisë. Ish kryeministrja Liz Truss, e cila më 20 tetor njoftoi dorëheqjen e saj nga drejtimi i Partisë Konservatore në pushtet, pas fjalimit të saj të fundit drejtuar popullit para zyrës kryeministrore, i paraqiti mbretit Charles III dorëheqjen e saj. Pas kësaj, Mbreti Charles III u takua Sunak-un në pallatin Buckingham, të cilit ia dha detyrën për formimin e qeverisë, duke e bërë kështu zyrtarisht kryeministri i 57-të i Britanisë. 42-vjeçari Sunak është kryeministri i parë britaniko-aziatik i vendit. Ai ka hyrë në histori edhe si “kryeministri i parë që iu dha detyra për formimin e qeverisë nga mbreti Charles III” i cili erdhi në fron pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II më 8 shtator. Sunak, ish-shefi i Thesarit, fitoi garën për udhëheqës të partisë Konservatore pasi rivalja Penny Mordaunt u tërhoq disa minuta përpara afatit të kandidimit. Pasi pranoi detyrën për të formuar qeverinë, Sunak tha se Mbretëria e Bashkuar “po përballet me një krizë të thellë ekonomike”. “Pasojat e COVID-it ende vazhdojnë, lufta e Putinit në Ukrainë ka destabilizuar tregjet e energjisë dhe zinxhirët e furnizimit në mbarë botën”, tha Sunak në Downing Street. Duke përshëndetur punën e ish kryeministres Liz Truss, Sunak tha se “disa gabime u bënë” pa qëllime të këqija. “Unë jam zgjedhur kryetar i partisë sime dhe kryeministër i juaji pjesërisht për t’i rregulluar ato gabime”, tha ai, duke shtuar: “Unë do të vendos stabilitetin ekonomik dhe besimin në qendër të agjendës së kësaj qeverie”. Ai paralajmëroi vendime të vështira, por u zotua të bashkojë vendin “me vepra, e jo me fjalë” “Unë qëndroj këtu para jush gati për të udhëhequr vendin tonë në të ardhmen, për të vënë nevojat tuaja mbi politikën, për të arritur një qeveri që përfaqëson traditat më të mira të partisë sime”, shtoi Sunak. Sunak është kryeministri i pestë që nga referendumi i Brexit-it në vitin 2016 dhe i treti në 3,5 muajt e fundit.