Foto: Bankar.me
Mbrëmë u mbajt Kuvendi Themelues i Forumit të Biznesit – Unioni i Ekonomisë së Ulqinit, me ç’rast u bë një hap historik për komunitetin e biznesit në Ulqin, përmes formimit të një organizate ombrellë që do të përfaqësojë interesat e ekonomisë në mënyrë më të fuqishme dhe të koordinuar.
Unionin e Ekonomisë – Forumin e Biznesit e përbëjnë: Agjencia Rajonale për Zhvillim – Asociacioni i Biznesit, Klubi i Biznesit Anamalit, Shoqata e Hotelierëve të Ulqinit, OJQ “Rruga e Kripores”, OJQ “Kravari”.
Forumi i Biznesit – Unioni i organizatave ekonomike të Ulqinit ka për mision: përfaqësimin e interesave të ekonomisë lokale para institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, përmirësimin e kushteve për zhvillim ekonomik, nxitjen e bashkëpunimit ndërmjet bizneseve, dhe pozicionimin e Ulqinit si një qendër të rëndësishme ekonomike dhe turistike.
“Ky është një hap i madh drejt forcimit të komunitetit të biznesit në Ulqin. Tani kemi një zë unik që do të mbrojë interesat e sipërmarrësve dhe do të punojë për zhvillimin e përgjithshëm të qytetit dhe rajonit. Forumi i Biznesit mbetet i hapur për të gjitha organizatat që dëshirojnë të bashkohen dhe të kontribuojnë në këtë platformë të përbashkët,” tha Nazif Cungu, kryetari i Forumit.