GJELOSHAJ: MANDIQI MOS TI BËJË SHQIPTARËT PJESË TË PROJEKTIT TË TIJ SHOVINIST

Lideri i Forumit Shqiptar Nik Gjeloshaj, lidhur me deklaratat e kryetarit të Kuvendit Andrija Mandiq dhe përmendjen e tij të shqiptarëve në lidhje me dyshtetësinë, tha se shpreson që kjo të jetë hera e fundit që ai i përmend dhe i lidh shqiptarët me projektin e tij shovinist të “dyshtetësisë”.

“Aq më tepër që ne tashmë e dimë se si “punoni” dhe që e kemi parë në vepër që nuk respektoni fjalën dhe nënshkrimin tuaj,” tha lideri i Forumit Shqiptar.

Ai shton se shqiptarët kanë përfaqësuesit e tyre dhe ata do të dinë t’i zgjidhin çështjet/problemet e tyre.

“Dhe ju jeni i fundit që mund t’i përmendni. Ne gabuam një herë dhe i besuam nënshkrimit dhe fjalës tuaj, por jo më, dhe do të gjejmë mekanizma dhe do të presim ditën për të fshirë votën që kemi dhënë për ju, pra për kryetarin e Kuvendit. Si përfundim, ideja juaj për dyshtetësinë nuk është për shqiptarët, është një projekt i “botës tende” i cili mund të jetë legjitim për ju, por jo për ne, prandaj mos i përfshini shqiptarët në këto plane, ne nuk do të marrim pjesë në krijimin e “botës serbe” apo botëve të tjera imagjinare dhe të ngjashme në baza kombëtare”, thotë Gjeloshaj.

Ai thekson se ndryshimi i strukturës së popullsisë ashtu siç dëshiron Mandiqi është edhe kundër konventave ndërkombëtare dhe ata nuk do ta mbështesin në asnjë mënyrë.

“Ne nuk destabilizojmë dhe nuk veprojmë për të shkatërruar të ardhmen evropiane të Malit të Zi dhe kundër normave ndërkombëtare. Veprimtaria jonë politike është vetëm në bashkëpunimin programor të dakorduar që kemi me kryeministrin Spajiq, sepse marrëveshja tashmë e famshme nuk ekziston më për ne dhe nuk e kam shkelur kurrë sepse respektoj firmën time dhe fjalën time, e këtu ne dallojmë!”, ka thënë Gjeloshaj.

SHARE