LAJÇAK: DO TA GJEJ NJË RRUGË PËRPARA NË DIALOG DITËVE NË VIJIM

I dërguari i Bashkimit Evropian (BE) për bisedimet Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha të hënën herët se do të përqendrohet ditëve në vijim për të gjetur një rrugë përpara në dialog, pas sulmit më armë ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.

“Akte të tilla të dhunës janë thellësisht shqetësuese dhe janë kundër parimeve të paqes dhe bashkëpunimit”, tha ai.

Ai tha se ky sulm e thekson edhe më shumë nevojën për dialog dhe diplomaci parandaluese “e cila u nënvizua gjatë javës së kaluar kur mora pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork”.

“Për të gjetur një rrugë përpara në rajon dhe në veçanti në dialog, unë kisha bisedime strategjike me partnerët tanë amerikanë”, shtoi ai.

Zëdhënësi i BE-së Peter Stano i ka konsideruar akte terroriste sulmet e armatosura nga bandat serbe ndaj policisë kosovare.

Stano ftoi palët që t’i rikthehen dialogut ndërsa garantoi mbështetjen e EULEX-it për policinë kosovare në stabilizimin e situatës.

Ndaj situatës ka reaguar edhe zëdhënësi i Kremlinit, Dimitar Peskov që në vijimësi të linjës ruse tha se vëren provokime të rregullta ndaj serbëve në rajon.

SHARE