ZELENSKY FALËNDERON MALIN E ZI PËR MBËSHTETJEN NDAJ UKRAINËS

Foto: predsjednik.me

Ukraina është mirënjohëse Malit të Zi për mbështetjen në mbrojtjen e lirisë, sigurisë dhe paqes në Evropë, tha presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Ai e bëri këtë koment në rrjetin social X, si përgjigje ndaj letrës së presidentit të Malit të Zi, Jakov Millatoviq, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.

“Jemi mirënjohës për mbështetjen e Malit të Zi për qëllimin tonë të përbashkët: mbrojtjen e lirisë, sigurisë dhe paqes në Evropë,” shkroi Zelensky, duke falënderuar Millatoviqin.

Ai shtoi se pret me kënaqësi vazhdimin e bashkëpunimit dhe forcimin e marrëdhënieve miqësore mes dy shteteve.

Në letrën e Millatoviqit, të cilën Zelensky e publikoi, thuhet se Mali i Zi, në këto kohë sfiduese për Ukrainën, shpreh edhe një herë solidaritet të plotë dhe mbështetje të palëkundur për pavarësinë dhe sovranitetin e saj.

“Shprehim respekt të thellë për guximin dhe këmbënguljen e popullit ukrainas në luftën për liri, demokraci, paqe dhe vlera evropiane,” tha Millatoviq.

Ai shtoi se Mali i Zi, nëpërmjet mekanizmave të ndryshëm, do të kontribuojë në krijimin e kushteve për një paqe të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë, si dhe në ndërtimin e një platforme për rimëkëmbjen ekonomike dhe shoqërore të Ukrainës.

“Besojmë në forcën dhe dinjitetin e kombit tuaj për të qëndruar në mbrojtje të vlerave themelore, me shpresën që periudha e ardhshme të sjellë paqe dhe përparim për të gjithë qytetarët e Ukrainës”, theksoi presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

SHARE