Foto: BORIS PEJOVIC
Nga Sindikata e Arsimit kanë njoftuar se më 1 shtator do të mbahet një orë publike, duke theksuar se janë të detyruar të paralajmërojnë vendimmarrësit që të mos i nënvlerësojnë, as si profesion, e as si qytetarë.
“Komiteti Qendror i Sindikatës së Arsimit të Malit të Zi ju fton që më 1 shtator, në institucionet tuaja, të mbajmë një orë publike. Sërish po na shkelet Marrëveshja Kolektive, në mënyrë të njëanshme dhe pa asnjë shpjegim. Për herë të parë po na ulen pagat”, thuhet në njoftimin e Sindikatës.
Ata theksojnë se janë sërish të detyruar të mbrojnë dinjitetin e profesionit që përfaqësojnë dhe të drejtat që ua garanton ligji dhe marrëveshjet.
“Sërish na është imponuar detyra që me shembullin tonë të tregojmë sa e rëndësishme është të jesh i gatshëm të luftosh për drejtësi. Sërish jemi të detyruar t’i paralajmërojmë vendimmarrësit që të mos na nënvlerësojnë – as si profesion, e as si qytetarë”, thuhet në deklaratën e Sindikatës të publikuar në rrjetet sociale, e nënshkruar nga kryetari i saj, Radomir Bozhoviq.
Siç theksohet, më 1 shtator do të përsëritet “lënda” e trajtuar në orën publike para Kuvendit të Malit të Zi më 27 dhjetor 2023.
“Me atë mësim u treguam të gjithëve – vetes, nxënësve, prindërve, qytetarëve dhe politikanëve – se shteti dhe institucionet kanë detyrimin të respektojnë dhe zbatojnë ligjet dhe marrëveshjet. Përfaqësuesit e institucioneve ose nuk e ndoqën atë orë, ose disa me vetëdije duan të vendosen mbi Kushtetutën dhe ligjet. Ju ftojmë të mblidheni në institucionet tuaja, të dëgjoni faktet për shkeljen e të drejtave tona, të ndani qëndrimet dhe të propozoni hapa për veprime të përbashkëta në vazhdim”, shton Sindikata.
Ata theksojnë se u nevojitet sërish uniteti.
“Na nevojitet solidaritet. Shkelja e të drejtave tona sot prek disa, nesër të tjerët – në fund, të gjithëve neve! Si punonjës të arsimit, më 1 shtator sërish do të japim mësim, por njëkohësisht do të japim edhe provim. Të tregojmë se kemi vlerë – të jemi bashkë!”, përfundon njoftimi.