Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u ka bërë thirrje partive politike të Kosovës që të arrijnë një marrëveshje dhe t’i themelojnë institucionet e vendit.
Në një intervistë për televizionin polak “TVP World”, Presidentja Osmani ka thënë se partitë politike duhet t’i lënë dallimet anash dhe ta vendosin para interesin e vendit.
“Shpresoj dhe sigurisht shfrytëzoj edhe një herë rastin për t’u bërë thirrje të gjitha partive politike që të vënë interesat e vendit në vend të parë, t’i lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tyre dhe të përpiqen të formojnë një koalicion dhe një shumicë parlamentare që do ta çojë Kosovën përpara, sepse bota nuk do të na presë”, tha Osmani.
Sipas Osmanit, shkaku i kësaj bllokade politike, po humbasin projekte të Bashkimit Evropian (BE) dhe po humbasin dritare të mundësive të bashkëpunimit me administratën e re të SHBA-së, për të cilat është punuar.
– Osmani: Vuçiq e ka përdorur propagandën si mjet kryesor me dekada
Presidentja kosovare duke folur për marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, ka thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, është mjeshtër i propagandës dhe me këtë propagandë po e bën sipas saj Perëndimin që të besojë se ai është duke qëndruar mes dy karrigeve, por, në fakt sipas Osmanit, Vuçiq ka zgjedhur të ulet në karrigen e Rusisë.
Osmani tha se Vuçiq ka përdorur propagandën si mjet kryesor me dekada, që nga koha kur “Millosheviqi bënte lufta në Kroaci, Bosnjë e Kosovë, në cilësinë e ministrit të propagandës”.
“Vuçiqi, njeriu që sot është president i Serbisë, propagandën e bën më së miri. E ka përdorur në mënyrën për ta bindur Perëndimin se qëndron mes dy karrigeve. Por, ai nuk është në mes, është në karrigen e Rusisë, e tjetra është aktrim bazuar nga përvoja. Ai propagandën po e përdor tash edhe kundër njerëzve të tij”, tha Osmani.
E pyetur nëse mendon se situata me protestat masive në Serbi mund të ketë ndonjë ndikim edhe në Kosovë, Presidentja Osmani tha se kur Vuçiq është në telashe në vendin e tij, tenton të shkaktojë probleme në Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë dhe pjesë tjera, duke përdorur më pas kartën nacionaliste, duke thënë se po mbron qytetarët serbë në këto vende.
– Rusia, Kina dhe Irani “trekëndëshi i së keqes”
Presidentja Osmani, në këtë intervistë tha se Rusia, Kina dhe Irani janë “trekëndëshi i së keqes” që po tenton të ndikojë në Ballkanin Perëndimor.
“Shpesh them se kur shohim këto forca malinje si Rusia, Kina e Irani, ky trekëndësh i së keqes që tenton ta shtrijë ndikimin në Ballkanin Perëndimor, nuk e bën këtë për bamirësi, por e bën këtë pasi ka ndonjë lloj interesi strategjik”, tha Osmani.
Ajo ka thënë se Rusia duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor synon ta largojë vëmendjen e Perëndimit nga Ukraina.