KOSOVË, HAPET PANAIRI I RINISË 2023

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, në kuadër të agjendës shtetërore të Muajit të Rinisë 2023, ka organizuar Panairin e Rinisë 2023.

Mbi 50 të rinj kreativë kanë ekspozuar krijimtaritë e tyre në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytetin Prishtinë.

Piktura, fotografi të veçanta, artizanale të ndryshme, punë dore, gastronomi, teknologji informative, prodhimtari, si dhe fusha të tjera që reflektojnë punën dhe angazhimin e të rinjve u shfaqën në këtë panair të hapur për qytetarët.

Në këtë ngjarje morën pjesë personazhe nga sektori privat, organizatat dhe përfaqësues nga institucione shtetërore.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, tha se në bashkëpunim me qeverinë po hartohen politika zhvillimore në mënyrë që Kosova të bëhet vend atraktiv për rininë.

Ai tha se rinia kosovare është inovative dhe ka kreatvititet, ndërsa theksoi se është “i bindur se do ta zhvillojmë këtë potencial dhe që Kosovën ta bëjmë vend atraktiv për të rinjtë”.

Nona Zicherman, përfaqësuesja e UNICEF-it e cila mbështeti këtë ngjarje, tha se gjithmonë do të jenë krah i zhvillimit të të rinjve, duke u kërkuar atyre që të jenë të vendosur në atë që duan në mënyrë që të bëhen ndryshime.

“Ne bashkëpunojmë me partnerë nga qeveria, shoqëria civile e nga OJQ-të që të zhvillojnë idetë e tyre. Sot dhe çdo ditë ne duhet të festojmë kreativitetin, përkushtimin e dedikimin si aktivistë, krijues të ndryshimit. Vendosmëria e rinisë do të na ndihmojë që ta bëjmë ndryshimin”, tha Zicherman.

SHARE