Thellohet në 21 viktima bilanci tragjik i të vdekurve nga zjarret në Greqi.
Një tjetër trupi i shkrumbuar u gjet në pyllin e Dadias në rajonin lindor të Evrosit, ku zjarret vijojnë prej 7 ditësh. Trupi mendohet se i përket një emigranti të jashtëligjshëm, pasi nuk ishte raportuar i zhdukur.
Shumica prej 18 trupash të pajetë të emigrantëve të paligjshëm në këtë rajon, disa prej të cilëve fëmijë, u zbuluan të martën, një ditë pasi u gjet trupi i parë.
Një viktimë kanë shënuar edhe vatrat në periferi të Athinës.
Për shuarjen e flakëve në rajonin e Evrosit po ndihmojnë edhe 50 zjarrfikës nga Shqipëria.
Siç e përshkruan edhe agjencia e lajmeve Reuters, pyjet e dendur të kësaj zone kanë qenë prej vitesh një prej rrugëve më të shfrytëzuara nga emigrantët e jashtëligjshëm nga Azia, drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Ndërkaq, qeveria greke ka nisur një operacion të gjerë kundër zjarrvënësve. Siç njoftoi ministri i Mbrojtjes Civile Vasilis Kikiljas, numri i të arrestuarve ka arritur në 79, ndër të cilët disave iu vunë prangat në flagrancë teksa përpiqeshin të ndiznin të tjera vatra në malin Parnitha, në veri-perëndim të Athinës.