LAJÇAK NË MITROVICËN E VERIUT: NUK MUND TË KETË MË BARRIKADA

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se në veri të Kosovës nuk mund të përsëriten tensionet e 31 korrikut, kur disa serbë lokalë ngritën barrikada, për të penguar Qeverinë e Kosovës në zbatimin e vendimeve të saj për targa dhe dokumente udhëtimi. Lajçak, bashkë me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, takuan mëngjesin e së enjtes përfaqësuesit serbë në veri të Kosovës. “Kjo është arsyja përse jemi sot këtu, që njerëzit të mos kenë frikë, të mos kenë frikë për jetën e tyre, për një jetë normale… Ne po bëjmë gjithçka për t’u siguruar që të mos ketë barrikada”, tha Lajçak pas takimit të zhvilluar në Mitrovicën e Veriut. Ai nuk deshi të flasë për zgjidhje dhe propozime të mundshme, duke thënë se “misioni po vazhdon” dhe se paqja duhet të ruhet. Sipas Lajcak, një shtatori do të jetë ditë e zakonshme pa barrikada. “Unë jam këtu për të bërë gjithçka së bashku me miqtë tanë amerikanë në mënyrë që të mos ketë barrikada, të mos ketë trazira dhe të mos ketë lëndime dhe që njerëzit të jetojnë të qetë. Duam që 1 shtatori të jetë një ditë normale, një ditë e zakonshme”- tha i dërguari i BE për dialogun. Ndërkohë emisari i SHBA-së, Gabriel Escobar tha se misioni vazhdon në Beograd. “Unë dua vetëm të them se kemi marrë parasysh shqetësimet e kryetarit të bashkisë. Misioni ynë vazhdon në Beograd.”- tha Escobar.

SHARE