ABAZOVIQ: QEVERIA DO TË NDIHMOJË CETINËN ME 100 MIJË EURO

Kryeministri i Malit të Zi, në mandatin teknik, Dritan Abazoviq, ka njoftuar se Qeveria e Malit të Zi do ta ndihmojë Kryeqytetin e Cetinës me 100 mijë euro, pas tragjedisë së 12 gushtit, kur humbën jetën 11 persona. Ai tha gjithashtu se në seancën e sotme janë diskutuar edhe raportet paraprake për ngjarjen tragjike. Abazoviq po ashtu ka bërë të ditur se qytetarëve do t’u ofrohet mbështetje psikologjike nga Qendra për Punë Sociale. Siç tha ai, ekzaminimet do të caktohen pa udhëzimet e mjekut të zgjedhur. Kryeministri tha se vendi nuk do ta harrojë policin e plagosur në përpjekje për të ndalur tragjedinë. Ai shtoi se raportet e policisë do t’i përcillen Këshillit të Sigurisë Kombëtare. “Shpresoj që asnjë Qeveri e Malit të Zi të mos mbajë një seancë me këtë rast”, tha Abazoviq në konferencën pas seancës. Kryetari i Komunës së Cetinës, Nikolla Gjurashkoviq, falënderoi për mbajtjen e seancës, por edhe ministrat për diskutimin dhe mbështetjen e të gjitha organeve shtetërore, institucioneve, politikanëve… si nga Mali i Zi ashtu edhe nga rajoni. Kryeqyteti, siç bëri të ditur ai, po punon për formimin e një komisioni që do të punojë për shpërndarjen e mjeteve dhe ndihmë për familjet e viktimave dhe të lënduarve. Ai theksoi se duhet pritur hetimi prokurorial, rezultati përfundimtar i tij dhe raporti i kontrollit të brendshëm për lëshimet e mundshme të policisë më 12 gusht. “Duke pasur parasysh që nuk kemi të dhëna të mjaftueshme, nuk do të hyja në një analizë më të thellë”, tha Gjurashkoviq.

SHARE